Telegrafi

Sulm në Trier të Gjermanisë: Të paktën dy të vdekur dhe dhjetëra të lënduar

Një veturë goditi dhe plagosi disa persona në zonën e këmbësorëve në qytetin Trier të Gjermanisë gjersa një person u arrestua, njoftoi policia.

RTL raporton se të paktën dy njerëz u vranë në aksident dhe se 30 njerëz u plagosën. Sipas informacionit të tyre, një helikopter po qarkullon mbi vendin e aksidentit, dhe shkolla afër është e mbyllur dhe ndjek protokollin në rast të një sulmi të mundshëm terrorist.

“Ambulancat nga e gjithë rajoni po na ndihmojnë. Detyra jonë e parë tani është t’i bëjmë njerëzit të sigurt”, tha kryetari i komunës së Trierit, Wolfram Leibe, transmeton Telegrafi.

Personi i arrestuar është një 51-vjeçar nga rrethi i Trier-Sarburg. Automjeti është i siguruar, tha policia.

Një video e arrestimit të të dyshuarit gjithashtu u shfaq në rrjetin social të Twitterit.

Një nga dëshmitarët okularë tha se një “Range Rover” hyri në zonën e këmbësorëve me shpejtësi të madhe dhe se “i hodhi njerëzit në ajër”.

Oficerët e policisë paralajmëruan njerëzit që të shmangnin vendin e aksidentit dhe thanë se ata ishin në vendin e ngjarjes së bashku me ekipet e ndihmës së shpejtë. /Telegrafi/