FC Prishtina ndodhet në Antalia të Turqisë në ditën e katërt të përgatitjeve.
Skuadra nën drejtimin e trajnerit Abdulah Ibrakoviq po vazhdon me përgatitje nga dy herë në ditë derisa puna po ecën sipas planeve dhe atmosfera në skuadër është jashtëzakonisht e mirë, shkruan faqja e klubit.
Prishtina nesër (e shtunë) e zhvillon edhe ndeshjen e parë miqësore kundër ukrainasve të Chernomorec Oddesa me fillim nga ora 17:00.
Rreth ecurisë së përgatitjeve për faqen zyrtare të klubit kanë folur kapiteni Lorik Boshnjaku dhe mbrojtësi Gledi Mici.
Fillimisht foli kapiteni Boshnjaku që tha se përgatitjet po ecin shumë mirë në Turqi.
“Jemi në fillim të fazës dhe do të mundohemi të përgatitemi maksimalisht që të jemi të gatshëm për garat në kampionat dhe Kupë”.
“Mendoj se duhet të fokusohemi sa më shumë në punën tonë që edhe trajneri (Abdulah Ibrakoviq) të nxjerrë më të mirën nga ne. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të kënaqura të dyja palët”.
“Atmosfera është shumë e mirë sikurse çdo herë dhe mezi presim rifillimin e edicionit”, ka thënë Boshnjaku.
Mbrojtësi i majtë, Gledi Mici ka thënë se baza e ekipit është dhe se përforcimet janë bashkuar mirë me grupin.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Kemi gjetur kushte mjaft të mira si te hoteli si te fushat e stërvitjes si dhe temperaturat e që është më ngrohtë se në Prishtinë”.
“Po përgatitemi me intensitet të lartë dy herë në ditë. Këto përgatitje dhe puna e trajnerit mendoj se do të na shërbejë për pjesën e mbetur të kampionatit që t’i arrijmë objektivat”.
“Atmosfera është super pasi baza e grupit është e fortë dhe ne shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kanë ardhur edhe prurje të reja që janë përshtatur shumë mirë me grupin tonë dhe shpresoj se do të na japin ndihmë”, ka thënë Mici. /Telegrafi/