Telegrafi

Dyshja e gjyqtarëve Vitaku drejtuan ndeshjen në Ligën Evropiane të hendbollit

(Foto: kosovahandball.info)

Një tjetër xhiro evropiane, një tjetër angazhim për gjyqtarët kosovarë të hendbollit. Dyshja mitrovicase, Arsim dhe Erdoan Vitaku kanë drejtuar të martën ndeshjen e raundit të dytë kualifikues të Ligës Evropiane për hendbollistë.

Në Kwidzyn të Polonisë, u takuan skuadra vendase, MMTS Kwidzyn dhe skuadra e madhe gjermane, SG Flensburg-Handewitt. Fitore të thellë shënoi skuadra gjermane, Flensburg-Handewitt me rezultat 39:25. Ndeshja e kthimit luhet më 4 tetor në Flensburg të Gjermanisë.

Në rrethin e dytë të Ligës Evropiane u paraqit edhe reprezentuesi i Kosovës, Luigj Quni me skuadrën zvicerane, Amicitia Zuerich.

Zurichu pësoi thellë, 34-24, nga skuadra spanjolle, Benidorm. Ndeshja u luajt në Spanjë, ndërsa Qunoi shënoi dy gola.

Hendbollisti shqiptar, Gzim Salihi, shënoi tri gola për Savehofin suedez që barazoi 24-24 me Montpellierin francez.