Site icon Telegrafi

Dyshimet në tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë, Durmishi thotë se kompania private nuk kishte të drejtë ankese

Foto: Kallxo

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se kompania private ‘Sallahu’ që kishte ofertuar si konsorcium me një kompani tjetër në tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë nuk kishte të drejtë për ankesë.

Marigona Osmani, përfaqësuese e kompanisë ‘Sallahu’ që ka ofertuar në këtë tender, ka thënë se fillimisht Ministria e Infrastrukturës nuk ka lejuar qasje në dokumentacionin e kompanive të tjera që kishin ofertuar.

Ajo ka thënë se arsyetimi i Ministrisë ka qenë se si kompani nuk kanë pasur të drejtë të bëjnë ankesë, pasi që sipas arsyetimit, të drejtën për ankesë e ka vetëm lideri apo i autorizuari i konsorciumit.

“Arsyetimin të cilën e ka përdorë autoriteti kontraktues (Ministria e Infrastrukturës) për refuzimin e kërkesës për qasje, në fakt nuk ka qenë arsyetim fare, ka qenë vetëm një shkresë ku thuhet se kërkesa nuk është parashtruar konform LPP-së, pa treguar arsyen pse përkatësisht kërkesa nuk ka qenë e parashtruar sipas LPP-së, ku për këtë jemi drejtuar te Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik, te Departamenti i Rregullave dhe Departamenti i Prokurimit, ku kemi ardhë në përfundimin se kërkesa për qasje ka qenë e parashtruar konform LPP-së” – ka thënë Osmani.

“Te kërkesa për rishqyrtim kanë nxjerrë një njoftim për operatorët ku thotë se nuk janë palë nuk jemi përgjigjur, nuk i kemi trajtuar kërkesat e operatorëve ekonomikë, gjë që është një shkelje e rëndë konform rregullores për prokurim publik, për shkak se autoritetet kontraktuese në çdo moment në rast se hasin në paqartësi janë të detyruar që të kërkojnë sqarime nga operatorët ekonomikë lidhur me çdo paqartësi prej tyre” – tha ajo.

Në anën tjetër, zëvendësministri Hysen Durmishi është i bindur se procedura është në rregull.

Ai insiston fillimisht se nuk ka pasur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pasi fillimisht pretendon se nuk kishte ankesë në shkallën e parë, që është vetë Ministria.

“Nuk është e vërtetë kjo, pra nuk ka pasur ankesë në OSHP. Sepse sikur të kishte ankesë në OSHP ne nuk do të mund t’i nënshkruajmë kontratat. Sepse ne funksionojmë me një sistem elektronik të prokurimit dhe në momentin kur ka ankesë, pezullohet procesi. Është e pamundur që të ngarkohen kontratat në sistem. Pra nuk ka pasur ankesë dhe ne i kemi nënshkru kontratat dhe ato kontrata janë në sistemin e e-prokurimit, në të kundërtën nuk do të kishim pasur mundësi edhe sikur të donim” – ka thënë Durmishi.

“Tash në aspektin procedural dhe formal, një qytetar i thjeshtë mund të bëjë ankesë në OSHP, sekretaria mundet me pranu atë dokument që e dorëzon një qytetar. Mirëpo në aspektin e procesit nuk mund të ndikojë në vendimmarrje. Në momentin kur nuk ka ankesë në shkallë të parë, nuk mund të ketë ankesë në shkallë të dytë, rrjedhimisht në OSHP. Ne si autoritet kontraktues e mbyllim procesin” – tha ai.

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë nëpër tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e të cilit zëvendësministri Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit./Kallxo/

Exit mobile version