Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se është larguar nga puna përkohësisht U.D i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Halit Gërbeshi.
Siç thuhet në njoftimin e bërë nga ShSKUK ky vendim është marrë pasi Gërbeshi është ndaluar 48 orë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, pasi që i njëjti dyshohet për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton Telegrafi.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës informon opinionin se pas njoftimit për ndalimin e Dr. Halit Gërbeshit U.D. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj prej 48 orësh nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i njëjti është larguar përkohësisht nga puna, konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
ShSKUK shton tutje se, detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të Spitalit në Ferizaj do t’i kryejë drejtori mjekësor i spitalit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se pas një hetimi një mujor nga ana e Prokurorisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin H.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se H.G., si Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e furnizuar veturën e tij private me derivate të naftës në kuadër të tenderit të paraparë për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj. /Telegrafi/