Rrjeti kroat i supermarketeve Konzum ka larguar nga shitja biskotat me origjinë serbe, Munchmallow.
Sipas shpjegimit zyrtar arsyeja kryesore e tërheqjes ishin vetitë organoleptike të ndryshuara të produktit.
Duke ditur se Kosova importon produkte të tilla nga Serbia, Telegrafi ka kontaktuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
Në një përgjigje me shkrim, AUV ka thënë se Munchmallow sikur dhe produktet e tjera me origjinë nga Serbia, që nga mesi qershorit të këtij viti, nuk janë lejuar të futen në Kosovë.
Megjithatë shton se do të ngrit nivelin shtesë te kontrollit të brendshëm për të verifikuar me informacione shtesë se cilat seri të prodhimit janë të dyshimta.
“Sa i përket kontrollit Kufitar, produktet finale në ketë rast edhe produkti në fjalë nuk është lejuar për import që nga data 14.06.2023 bazuar në urdhëresën për ndalim te produkteve me origjinë serbe. Nëse në qarkullim të brendshëm gjenden ndonjë sasi e këtij produkti, duhet të jenë seri tjera të prodhimit që nuk hynë në rangun e produkteve të dyshimta. Ne do të ngrisim nivelin shtesë të kontrollit të brendshëm për të verifikuar me informacione shtesë se cilat seri të prodhimit janë të dyshimta”, thuhet në përgjigjen e AUV./Telegrafi/