Shoqata e përpunuesve të grurit e njohur si Shoqata e Mullisëve të Kosovës (SHMK), përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin lidhur me shitjen e produktit të miellit me brendin “Fellini”, në tregun kosovar.
Mielli i bardhë “Fellini” është njëri ndër më të konsumuarit nga familjet në Kosovë. Por, ky miell që shitet në shumicën e marketeve kosovare, sipas Shoqatës së Mullistëve të Kosovës shkakton konfuzitet te konsumatorët.
“Në tregun e Kosovës është duke u shitur tash e sa kohë një produkt i njohur me brendin “Fellini” në paketim prej 5 dhe 1 Kg në deklaratën e secilës informatat në lidhje me produktin janë të cekura qëllimisht në formë konfuze dhe të pasaktë”, thotë SHMK.
Kjo shoqatë ka bërë një ankesë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nga e cila ka kërkuar të hetojë nga vjen mielli “Fellini”.
Kjo kërkesë u bë pasi sipas mullisëve, në tiketat që i bashkëngjitën paketimit, herë figuron që mielli është prodhuar në Gjermani, herë në Bosnja e Hercegovinë e herë në Serbi.
Prandaj, ata kanë kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që përmes Inspektoratit të ndaloj shitjen e këtij produkti, derisa të plotësohen kushtet ligjore që dëshmojnë kualitetin dhe të dhënat që janë në interes të konsumatorit.
Në kërkesën që mullistët i kanë bërë MTI-së thuhet:
Shoqata e përpunuesve të grurit e njohur si Shoqata e Mullisëve të Kosovës (SHMK) me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit ju drejtohet Ministrisë suaj me shqetësimin në vijim:
Në tregun e Kosovës është duke u shitur tash e sa kohë një produkt i njohur me brendin “FELLINI” në paketim prej 5 dhe 1 Kg në deklaratën e secilës informatat në lidhje me produktin janë të cekura qëllimisht në formë konfuze dhe të pasaktë.
Ajo që është edhe më e rëndësishme, askund në ambalazhe nuk është cekur se kush është prodhuesi, emri i subjektit prodhues, adresa, etj. Kjo informatë është e obligueshme ligjërisht të jetë e vendosur dhe mungesa e saj lë hapësirë për të dyshuar në këtë produkt jo vetëm në aspektin e kualitetit por edhe në aspektin e ndonjë arsye tjetër të shmangies nga detyrimet e importit.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë MTI-në lidhur kërkesën e SHMK, për dyshimet e cilësisë së miellit, por nuk ka mundur të marrë përgjigje.