Telegrafi

Dyshimet e austriakëve për PTK-në

Telekom Austria, kompania në garë për privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, nuk garanton se do të ofertojë për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike. Zyrtarë të kësaj kompanie thonë për Express se ende nuk kanë vendosur se çka do të bëjnë.

Për më tepër, sipas burimeve të gazetës austriake Die Presse, kjo kompani tashmë është tërhequr nga gara, pasi që Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar me çmimin prej 350 milionë eurosh që ia kishte ofruar. E para se të ofronin këtë vlerë, austriakët kishin dhënë një çmim tjetër, prej 300 milionë eurosh për t’i blerë këto aksione të kësaj ndërmarrjeje. Por, kjo ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës. “Pas ngritjes së çmimit nga Telekom Austria në 350 milionë, duke shpresuar se ky çmim do të arrijë ta bind Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar një marrëveshje, prapëseprapë Kosova e ka refuzuar atë”, thuhet në shkrimin e Die Presse.

Madje, kjo ka bërë që austriakët të mos interesohen më për të marrë në dorë këtë ndërmarrje publike, pasi që vlera e kërkuar për privatizim nga Qeveria nuk ka të bëjë me një çmim të rregullt, por më shumë është e lidhur me korrupsionin.

“Duke marrë parasysh mosgatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe mosrespektin e shumës së ofruar, Telekomi austriak ka hequr dorë nga kjo marrëveshje. Ekspertët nga kjo kompani kanë shpjeguar se vlera e kërkuar nga Qeveria nuk ka të bëjë me një çmim të rregullt, por që kjo shumë është e lidhur me korrupsionin, gjë që Telekom Austria pranë kësaj dukurie humb interesin për të investuar në Kosovë dhe nuk mbron korrupsionin, shpjegon një zëdhënëse nga Telekomi për gazetën Die Presse”, thuhet më tej në shkrimin e kësaj gazete.

Por, për gjithë këtë proces, Express ka kontaktuar zyrtarët për informim të kësaj kompanie, të cilët nuk kanë garantuar se do të jenë ofertues në këtë garë për privatizimin e PTK-së.

Mattes Elisabeth, zëdhënëse në Telekom Austria, ka thënë për Express se me Qeverinë e re, me parakushtet themelore janë krijuar kushtet formale dhe procesi i parakualifikimit kishte vazhduar. Por, ajo thotë se për të aplikuar së pari do të vlerësojnë të gjitha kushtet. “Në këtë rast ne ishim informuar që jemi në listën e ngushtë. Tani Telekom Austria do të vlerësojë nëse do të aplikojë”, tha Elisabeth për gazetën. Ajo tregon se grupi i tyre, në bazë të strategjisë së tyre konvergjente, ishin të interesuar në parakualifikimin në lidhje me privaitizmin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. /Telegrafi/