Rasti i përplasjes verbale ndërmjet një policeje dhe shoferit të një veture në Shkup, me iniciale B.A, që doli të jetë Beqir Asani, funksionar i BDI-së, ka shkaktuar reagime të ashpra në media.
Zyrtarisht, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thotë se nuk ka patur përplasje fizike, dhe se policja është lënduar duke u tërhequr nga vendi i ngjarjes, ku vetura e Asanit duhej të largohej nga karotreci, njofton Telegrafi Maqedoni.
Vetë policja ka konfirmuar që nuk ka patur përplasje fizike, në takimin që kishte me ministrin e MPB-së, Oliver Spasovski.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Komiteti i Helsikit, të cilët thonë se ndaj personit në fjalë duhet që të ishte ngritur kallëzim penal, e jo për kundërvajtje.
Gjithsesi se në media dhe në rrjetet sociale ky rast ka filluar të satirizohet. Çështja që ngritet është se si ndodhi që policja u përplas vetëvetiu në karotrec, dhe pësoi lëndime të lehta.
Mirëpo, MPB-ja ka reaguar sërish dhe i hedh poshtë shkrimet mediale për gjoja sulm fizik ndaj polices, apo trysni ndaj saj që të ndryshoj deklaratën për rrjedhën e ngjarjes./Telegrafi/