Telegrafi

Dyshime për telefona rrezatues

Tash e disa ditë pikat e shitjes “Molla”, që shesin produkte të markës amerikane “Apple” , i janë bllokuar telefonat në Aeroportin e Prishtinës për t’u testuar nga Agjencia Kosovare për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB). Gazeta Tribuna merr vesh se të gjitha kompanive që janë importues të telefonave në Kosovë u janë ndaluar produkte, duke përfshirë këtu edhe markat tjera. Mirëpo zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë importues të flasë për gazetën.

AKMRrSB po dyshon që telefonat mund të jenë jashtë standardeve dhe ka filluar një kontroll për ta vërtetuar sigurinë e tyre.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKMRrSB, Ferki Fejza, e ka konfirmuar për gazetën Tribuna se ka nisur një askion për t’i futur nën kontroll telefonat e importuar, me arsyen se duhet të vërtetohen a janë brenda standardeve të Bashkimit Evropian. Fejza thotë se kjo është bërë me nevojën që të mbrohet shëndeti i qytetarëve.

“Ne kemi filluar të fusim nën kontroll telefonat mobilë, duke u mbështetur në nevojën për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga përdorimi i tyre, duke kontrolluar nëse i përmbushin standardet evropiane për kontrollin e nivelit të SAR-it (SAR – Specific Absorbed Rate, madhësi që determinon rrezikun ndaj ekspozimit të valëve elektromagnetike që emitojnë këta telefona)”, i tha Fejza gazetës Tribuna. /Telegrafi/