Site icon Telegrafi

Dyndjet për deputetë

Përpilimi i listave ka krijuar një zhvillim interesant, herë qesharak, herë ironik e herë seriozisht shqetësues. Se çfarë do të jetë lista e deputetëve që do ta kalojnë votën e popullit mbetet të shihet e të komentohet më vonë, por bazuar në programet dhe alternativat që po i ofrohen popullit për të ardhmen gjasat janë shumë të vogla për ndryshime pozitive në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Pse aq shumë dyndje për listat e deputetëve?

Po të jetonim në ndonjë shoqëri të zhvilluar, interesimi kaq i madh i njerëzve për të garuar për deputetë të Kuvendit do të shihej si një patriotizëm fenomenal me të cilin do të merreshin studiuesit, analistët, sociologët, psikologët etj. Sepse, të lësh çdo angazhim tjetër anash dhe të merresh me politikë, në një shoqëri normale ku mund të jetohet shumë më mirë nga profesionet tjera, nuk ka si të merret ndryshe pos si një patriotizëm ekstrem ku dashuria mbi atdheun kalon të gjitha motivet tjera të dashurisë. Por, kur kjo ndodhë në Kosovën tonë të varfër e të lodhur nga krimi dhe korrupsioni të shkaktuar pikërisht nga politikanët, në një Kosovë ku vendi i punës dhe ekzistenca materiale e qytetarëve është në pikëpyetje, një vrap i tillë mund të ngjajë në gjithçka tjetër, por jo edhe në patriotizëm e sakrificë.

Kur sheh njeriu të gjitha këto dyndje njerëzish për t’u bërë deputetë me aq pak ose fare ide për ta kapërcyer krizën gjithnjë e më të thellë ekonomike të vendit, me aq pak ose fare gatishmëri për të vepruar vërtet politikisht, me aq pak ose fare përgatitje intelektuale e politike për t’ia nisë këtij zanati nga më të vështirit, nuk ka si të mos dyshojë për ekzistencën e institucionit të përgjegjësisë dhe etikës politike e njerëzore. Lëvizje të tilla konfuze e të çoroditura çfarë hetohen këto ditë në skenën politike të Kosovës, nuk ndodhin as në vendet më të prapambetura të botës e lëre më në një shoqëri të civilizuar.

Deputetë që kanë lëshuar partitë e tyre përmes së cilave kanë hyrë në parlament për të funksionuar si të pavarur (Naim Rrustemi, Driton Tali, Riza Smaka), tani kanë bërë strehë në partitë tjera derisa të kalojë rrebeshi i votimeve për t’iu kthyer prapë funksionimit të pavarur, jo pse janë kreator idesh e aksionesh të veçanta, por pse nuk mund të funksionojnë në punë ekipore dhe sistematike. Ata që deri dje janë krekosur si më të zëshmit, më opozitarët dhe më të guximshmit, tani janë bërë lepuj në shtrojerat e kampeve partiake dhe flasin për koncepte analoge politike me partitë ku kanë pranuar azilin tamam sikur gjatë tërë kohës së mandatit të tyre në parlament të kishin qenë tradhtar jo vetëm të partive të tyre origjinale, por edhe të koncepteve personale politike. Një transformim, apo më mirë të thuhet një deformim i tillë flet për krizën e thellë të partive politike që nuk ngurrojnë të blejnë çfarëdo malli, qoftë edhe asi të skaduar afatesh për t’i ushqyer shpresat e tyre të mbijetesës e të zgjerimit eventual.

Deputetë tjerë kanë kaluar nga një parti në partinë tjetër, pastaj serish janë kthyer në partinë e origjinës (Adem Salihaj, Berim Ramosaj) dhe pretendojnë se kanë ruajtur konceptet e tyre politike. Deputetë të tjerë që kanë qenë në shënjestër si protagonistë të qeverive të “korruptuara” (Bajram Kosumi, Bujar Dugolli) kanë kaluar në partinë (PDK) nga e cila kanë pësuar goditjet më të fuqishme në të kaluarën! Rugovistë të shquar (Melihate Termkolli, Haki Shatri, Astrit Haraqija, Ukë Rugova) kanë aderuar në AAK apo kanë hyrë përkohësisht në radhët e tyre duke harruar se koncepti i kësaj partie është më antirugovist, apo më pak rugovistë sesa LDK-ja. Njerëz të deklaruar si miq kanë dështuar të jenë në listat e njëjta (Isa Mustafa versus Bujar Bukoshi versus Muhamet Mustafa, apo Daut Haradinaj versus Rexhep Selimi ) dhe përsëri flasin për sjellje parimore! Krijim i lidhjeve ekstremisht të panatyrshme si ai i Albin Kurtit me atë të Florin Krasniqit vetëm për interesa financiare të partisë. Harresa të qëllimshme për emra të caktuar, si sinjal për fuqinë e tyre politike në rënie, siç ishte mungesa e Edita Tahirit në listën e PDK-së.

Individë të caktuar kanë lënë karrierën e tyre profesionale (Behar Selimi) për t’i bindur të tjerët e mbase më shumë vetveten se janë pak më të mëdhenj sesa që duken sot, por duke tradhtuar mirëpritjen qytetare për punët që kanë nisur. Grupe individësh kanë braktisur shoqëritë civile dhe ia kanë mësyer garës politike për deputetë qoftë duke iu bashkangjitur partive politike me kredibilitet shumë të ulët (Muhamet Mustafa & kompani), qoftë duke krijuar subjekte te reja politike që nuk pritet as ta kalojnë pragun zgjedhor (Ilir Dedaj, Shpend Ahmeti etj) duke rrezikuar të shkaktojnë një kolaps të vërtetë të shoqërisë civile!

Kurse individë të ndryshëm kanë shantazhuar partitë e tyre duke kaluar përkohësisht në partitë tjera dhe pasi kanë arritur të tërheqin vëmendjen e tyre serish janë kthyer ne shtëpinë e vjetër, por tani në listën ku më parë kanë qenë të injoruar.

Në dyndjet për deputetë kanë ndodhur edhe absurde të tjera, si kapërcimi i individëve nga partia e dytë në partinë e tretë. Hyrja në lista e njerëzve të sportit vetëm pse njihen si emra të së kaluarës (Aziz Salihu në LDD) pa pasur as edhe minimumin e kapacitetit politik. Në lista kanë hyrë edhe persona që postin e deputetit e shohin si shpëtim të përfitimit financiar duke mos pasur ndonjë punë tjetër.

Përpilimi i listave ka krijuar një zhvillim interesant, herë qesharak, herë ironik e herë seriozisht shqetësues. Se çfarë do të jetë lista e deputetëve që do ta kalojnë votën e popullit mbetet të shihet e të komentohet më vonë, por bazuar në programet dhe alternativat që po i ofrohen popullit për të ardhmen gjasat janë shumë të vogla për ndryshime pozitive në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Exit mobile version