Site icon Telegrafi

Dymbëdhjetëvjeçari fitonte duke ua prerë barin fqinjëve, dikush e raportoi pikërisht për këtë në polici – “krimin” që e bëri sot po i sjell shumë para (Video)  

Biznesi është duke lulëzuar për “ndërmarrësin” e vogël nga Ohio, i cili i ka vetëm 12 vjet dhe fiton mirë duke prerë barin, e në veçanti që kur është bërë hit në rrjetet sociale me një video ku dikush e kishte lajmëruar në polici pikërisht për punën që e bënte.

Derisa vogëlushi Reggie Fields së bashku me vëllanë dhe motrat po priste barin në oborrin e një shtëpie në një qytezë në afërsi të Klivelendit, fqinjët e Lousille Hollt e cila i kishte angazhuar këta fëmijë, kishin raportuar rastin në polici pasi ata padashje kishin prerë edhe barin në oborret e tyre, transmeton Telegrafi.

“Paramendojeni të raportoni në polici fëmijët që kanë prerë barin dhe nuk e kanë parë vijën ndarëse që tregon se e kujt është prona dhe deri ku! A ka ende njerëz të tillë që i telefonojnë policisë për gjëra të imta”, pyet Lousille në videon e publikuar që është bërë virale, dhe është shpërndarë nga më shumë se 400 mijë persona.

“Në vend se të jesh i lumtur që fëmijët nuk po vjedhin vetura, nuk po thyejnë dritare dhe po nuk hedhin mbeturina nëpër lagje, ata përkundrazi kishin gjetur një mënyrë interesante për të qëndruar larg problemeve dhe zbukurimit të lagjes, e ju po i raportoni në polici. Kjo vërtetë nuk ka kuptim”, ka shtuar Lousille e dëshpëruar me veprimin e fqinjëve.

Por, ishte pikërisht ky incident dhe videoja e filmuar kur shfaqet policia, që i solli Reggie të vogël shumë punë dhe kërkesa të panumërta për të prerë barin në prona tjera. Ai e ka regjistruar biznesin e tij, dhe ka filluar të shpërndajë nëpër lagje fletushka me numrin e telefonit dhe shërbimet që i kryen ai.

Lousille gjithashtu ka pranuar se videoja që e ka publikuar ka nxitur reagime të ashpra tek shumë qytetarë, që i kanë shkruar për ta pyetur se si mund të vënë kontakte me Reggie e vogël që dëshirojnë ta përkrahin dhe angazhojnë me punë tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version