Telegrafi

Dymbëdhjetë fëmijë në mesin e të helmuarve nga tymi i zjarrit që shpërtheu në një ndërtesë në Çair

Tridhjetë persona të rritur dhe 12 fëmijë ishin në mesin e të helmuarve nga tymi në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e sotëm në një ndërtesë në lagjen Çair të Shkupit.

Drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev, tha se në Klinikë janë drejtuar rreth tridhjetë persona me simptoma të helmimit nga tymi. Pjesa më e madhe e tyre janë liruar për mjekim në shtëpi, por katër të moshuar me gjendje më të rëndë klinike janë mbajtur për trajtim spitalor.

Në Klinikën e Fëmijëve janë sjellë 12 fëmijë, më i vogli 5 muajsh dhe më i madhi 11 vjeç. Të gjithë kishin simptoma të thithjes së tymit. Vetëm dy fëmijë u ndaluan, ndërsa të tjerët u liruan me kërkesë të prindërve.

Përveç civilëve, një zjarrfikës dhe një polic kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të thithjes së tymit gjatë shuarjes së zjarrit./Telegrafi/