Telegrafi

Dygjuhësia mund ta shtyjë Alzheimerin për katër vjet

Në një studim të kohëve të fundit, hulumtuesit në Universitetin Ghent kanë konstatuar se mosha mesatare e diagnostikimit për pacientët e Alzheimerit të cilët e flasin vetëm një gjuhë, ishte 73. Për dygjuhësorët, mosha ishte 77. Për disa, shumëgjuhësia e vonoi fillimin e sëmundjes për pesë vjet.

Në mes të marsit 2013 dhe majit 2014, hulumtuesit në universitetin belg e studiuan historikun e 69 pacientëve njëgjuhësh dhe 65 pacientëve dygjuhësh, të cilët i ishin nënshtruar trajtimit për sëmundjen e mundshme të Alzheimerit. Analiza tregoi se si manifestimi ashtu edhe diagnoza e sëmundjes neurodegjenerative kishte ndodhur katër deri në pesë vjet më vonë për belgët që e flisnin më shumë se një gjuhë.

"Këto rezultate i konfirmojnë hulumtimet e mëparshme të cilat sugjeronin se dygjuhësia mund ta ngadalësojë plakjen kognitive dhe të kontribuojë në rezervën kognitive", shkruajnë hulumtuesit në një artikull duke e paralajmëruar publikimin e studimit të tyre të ri.

"Duket se kontrollimi i vazhdueshëm dhe aktiv i dy gjuhëve është si një stërvitje për trurin. Kjo i sfidon qelizat tona gri dhe i ruan ato nga degjenerimi."

Studimet e mëparshme me MR! kanë treguar se truri i njerëzve dygjuhësh ka dendësi më të lartë të materies gri dhe asaj të bardhë. Të mësuarit e një gjuhe tjetër gjithashtu është izoluar si një faktor që kontribuon në "rezervën e përmirësuar kognitive" dhe "efikasitetin nervor", shkruajnë hulumtuesit në artikullin e tyre. /Telegrafi/