Ecuria pozitive e turizmit në Shqipëri ka vijuar dhe përgjatë muajit shtator.
INSTAT raporton se net-qëndrimet e rezidentëve vendas në strukturat akomoduese janë dyfishuar, ndërsa ai i të huajve është rritur me 81 për qind, teksa janë shtuar ndjeshëm dhe vizitorët.
Hotelet kanë pasur më shumë punë, teksa është rritur dhe norma e shfrytëzimit të dhomave. Jugu ka tërhequr më shumë turistë, por rritja më e lartë e net qëndrimeve është konstatuar në zonën e veriut dhe qendrës (Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë, Shkodër).
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 70.1 për qind, në krahasim me Shtator 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
• numri i vizitorëve rezident është rritur me 60.3 për qind;
• numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 76.0 për qind.
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 87.8 për qind, në krahasim me Shtator 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm:
• numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 2 herë;
• numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 81.3 për qind
Rriten me 70 për qind vizitorët
Gjatë muajit Shtator 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 70,1 %, krahasuar me Shtator 2022. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,2 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 93,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 67,6 %
Në muajin Shtator 2023, numri më i lartë i vizitorëve rezulton:
• sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (36,7 %);
• sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (63,0 %);
• sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (91,5 %).
Rriten net-qëndrimet në Veri
Gjatë muajit Shtator 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 87,8 %, në krahasim me muajin Shtator 2022. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 3 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 80,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 76,1 %.
Në muajin Shtator 2023, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar:
• sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut“ (37.5 për qind);
• sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (75.8 për qind);
• sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92.4 për qind).
Rritet ndjeshëm norma e shfrytëzimit të dhomave
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 32.4 për qind, kundrejt 23.0 për qind që ishte në muajin Shtator 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 37.0 për qind, kundrejt 22.9 për qind që ishte në muajin Shtator 2022, raporton Monitor. /Telegrafi/