Site icon Telegrafi

‘Dyert u mbyllën dhe agjenti kimik u lëshua në ajër’: Çfarë ndodhi në klubin e natës në Afrikën e Jugut në të cilin gjetën vdekjen 21 adoleshentë?

Misteri vazhdon të mbetet ende i pazbuluar në rastin e vdekjes së 21 adoleshentëve në një klub nate të njohur në Afrikën e Jugut.

Madje, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ngjarja e tmerrshme ndodhi pasi dyert klubit të natës u mbyllën papritmas dhe një lloj agjenti kimik u hodh brenda tij.

Si pasojë, nga 21 personat që vdiqën, 17 ishin të vdekur që kur shërbimet e urgjencës mbërritën në Tavernën Enyobeni në Scenery Park, një periferi në provincën e Kepit Lindor të Afrikës së Jugut, më 26 qershor.

Viktimat, të cilët varionin nga mosha 13 deri në 17 vjeç, thuhet se u gjetën të shpërndara mbi tavolina.

Ata nuk kishin shenja të dukshme lëndimi dhe kishin dalë për të festuar provimet e shkollës në fund të qershorit, thanë raportet lokale.

Asnjë arrestim nuk është bërë dhe asnjë i dyshuar nuk është emëruar në lidhje me hetimin, sipas policisë.

“Nuk ka zhvillime të reja në këtë fazë”, ka thënë Brig. Tembinkosi Kinana, një zëdhënës i Shërbimit Policor të Afrikës së Jugut, më 5 korrik.

“Në një kohë të përshtatshme dhe pasi të dalin rezultatet [toksikologjia], do të lëshohet një deklaratë zyrtare. Nuk është përcaktuar ende se kur do të dalin rezultatet”.

Megjithatë, një 22-vjeçar banor i Scenery Park, Sibongile Mtsewu, i cili ishte në bar tha se po porosiste pije kur papritur dyert u mbyllën dhe një lloj agjenti kimik, si gaz lotsjellës ose sprej piper, u lëshua në ajër.

Autoritetet kanë hapur një çështje penale kundër pronarëve të lokalit për shitjen e alkoolit të dyshuar për të mitur. /Telegrafi/

Exit mobile version