Site icon Telegrafi

Dyert e komunës së Haraçinës mbeten të mbyllura

 

Dyert e komunës së Haraçinës mbeten të mbyllura. Kreu kësaj komune ishte i pakapshëm për të treguar se deri kur nuk do të shërbejnë qytetarët. Heshtje edhe në BDI. Ndërkohë sipas ekspertëve deklarata e një dite më parë e ministrit të brendshëm, nuk përmirëson situatën por e keqëson atë edhe më shumë.

Sot kryetari Ibraimi ishte i pakapshëm për të treguar nëse ka marrë ndonjë garanci nga organet e rendit që të mund të vazhdojnë me punë, ose nëse kanë vendosur ditën e saktë kur do të kthehen në punë. Ndërsa ekspertët e sigurisë thonë se deklarata e djeshme e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski që palët duhet të merren vesh vetë, le hapësirë në opinion sikur institucionet nuk mund të veprojnë për shkak të ndikimit politik brenda tyre.

Kjo punë më ngjanë sikur se institucionet tona si Prokuroria Publike, Policia e kështu me radhë sikur frikohen të ndërmarrin veprime të cilat obligohen me ligj t’i ndërmarrin, me qëllim që të mos përplasen me ndikimin politik, të liderëve politik nga partitë politike që ta mbrojnë funksionin e tyre dhe vendin e punës në këto institucione, që sipas mua është situatë shumë e keqe. Ndërsa deklarata e ministrit nuk duhej të shkojë në atë formë për shkak se krijon situatë sikur ministria nuk ka forcë që të garantojë siguri në gjithë territorin për çdo qytetar të republikës së Maqedonisë”, deklaroi Lubomir Gjurçevski, ekspert i Sigurisë.

Sipas Gjurçevskit, qëndrimi i këtillë i ministrit të punëve të brendshme nuk e zgjidh problemin por i shtyn palët që të shkaktojnë problem edhe më të madh.

“Çdo mos marrje e veprimeve të cilat jemi të obliguar t’i ndërmarrim me ligj, çojnë në përkeqësimin e situatës në terren në vend të qetësimit të situatës në terren, pasi çdo kush është i vetëdijshëm se kur do të ballafaqohen me ligjin do të ketë pasoja dhe sanksione të caktuara. Por kur do të ndjejë se nuk do të ballafaqohet me ligjin se institucionet të cilat janë të obliguara ta zbatojnë ligjin distancohen, nuk marrin veprime të caktuara, atëherë qytetarët inkurajohen të bëjnë vepra të caktuara të cilat janë në kundërshtim me ligjin…. kjo deklaratë është në drejtim të keqësimit të situatës në vend të qetësimit ose përmirësimit të gjendjes së sigurisë në rastin konkret në fshatin Haraçinë”, tha Lubomir Gjurçevski, ekspert i Sigurisë.

Për sulmin dhe kërcënimet ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, nga familjarët e ish-kryetarit të kësaj komune nga e njëjta parti, heshtin edhe nga BDI-ja. Alsat tentoi që të marrë qëndrim nga zyrtarët e BDI-së por nuk janë të kapshëm për të folur./Alsat.mk

Exit mobile version