Site icon Telegrafi

Dy vjet nga vrasja e Elvis Pistës, s’ka të akuzuar as të arrestuar

Edhe dhjetë ditë bëhen dy vjet prej se është vrarë Elvis Pista, kandidati i PDK-së për deputet të Kosovës nga Rahoveci.

Tash e dy vite organet e ndjekjes dhe drejtësisë nuk kanë arritur t’i zbardhin motivet e as dorasin e vrasjes së Pistës, edhe përkundër intervistimit të më shumë se 60 personave. Motra e tij kishte drejtuar gishtin kah politika dhe biznesi për vrasjen e tij.

Pavarësisht se menjëherë pas vrasjes kishin filluar hetime intensive për ndriçimin e rastit, prokuroria tash e dy vite nuk ka arritur ta ndërtojë ende një profil të vrasësit dhe shkaqet që kanë çuar te vrasja.

Vrasjen e pistës, Kryeprokurori Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, e kishte komentuar si një vrasje shumë profesionale.

Ndërsa, Riza Shillova, nga Policia e Kosovës në vitin 2014, kishte thënë se rasti i Elvis Pistës është rast me prioritet mbi të gjitha prioritetet, shkruan Express.

“Jemi duke i ekzaminuar disa dëshmi po ashtu në shtëpinë e Elvis Pistës kemi gjetur pajisje apo dëshmi që dërgojnë te rruga e vrasjes, por profili i Elvis Pistës ka qenë mjaftë kompleks, jemi duke hetuar në gjitha pistat dhe besojmë së shpejti në rezultatet”, kishte thënë Shillova.

Shkrimet personale të Elivës Pistës ishin dërguar në Finlandë, pasi që institucionet e Kosovës e as ato të EULEX-it nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë ekzaminimin e tyre.

“Ekzaminimet e fundit i kemi dërguar në Finlandë për arsye që jo vetëm institucionet e Kosovës por as ato të EULEX-it nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë, nga i cili ekzaminim presim shumë,” kishte thënë Shpresa Bakija me rastin e dërgimit të dokumenteve të Pistës në Finlandë.

Motra e Pistës, Beatrisa, kishte deklaruar se politika dhe biznesi e kishin vrarë vëllaun e saj,

“Unë jam këmbëngulëse se vrasja ka të bëjë me politikën dhe biznesin”, kishte deklaruar ajo.

Elvis Pista, është vrarë më 15 qershor 2014, derisa po largohej nga një restorant në Rahovec. Mbrëmjen tragjike ai po festonte ditëlindjen e gruas së tij.

Pista është qëlluar 4 herë nga prapa me silenciator (armë me shurdhues).

Exit mobile version