Në dy vjetorin e rrëzimit të Qeverisë Mustafa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka akuzuar ashpër qeverinë aktuale.
Rugova për Telegrafin tha se Qeveria Haradinaj është më e keqja që ka pasur ndonjëherë Kosova, ai deklaroi se koalicioni PAN nuk i ka sjell asgjë të mirë vendit përveç se e ka dëmtuar atë në forma të ndryshme.
“Ky koalicion është krijuar në terr, sipas të gjitha analizave, kjo qeveri me shumë ministra, me shumë zëvendësministra, kjo qeveri i fundos ndërmarrjet publike, kjo qeveri e cila i shpenzon rezervat e shtetit. Kjo qeveri e cila i paguan mbi 40 mijë parazitë të quajtur veteranë, kjo qeveri e skandaleve kjo qeveri e analfabeteve, pa koncept të qeverisjes, qeveri e analfabeteve, një qeveri e cila e ka rrënu përtokë imazhin e Kosovës, më një diplomaci shumë të dobët e cila nuk ka arritur ta sjellë asnjë njohje”.
Rugova kritikoi ashpër edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, sipas tij ai po bën pazare të shkëmbimeve të territoreve.
“Shteti i Kosovës ka qenë më i njohur në vitet e 90-ta sesa nga viti 2017 e tutje. President shkel kushtetutën dhe bën pazare të shkëmbimeve të territorit, kryeministri e legjitimon presidentin për këtë çështje.
PAN nuk e ka mazhorancën, që disa muaj nuk mund ta kalojnë asnjë ligj, vazhdojnë të mbesin peng i listës serbe”.
Në fund deputeti i LDK-së, tha se:”Njerëzit po ikun nga niveli përfaqësues i vendit dhe se zgjidhja e vetme është të shkohet në zgjedhje të parakohshme”.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Telegrafin se deri tani asnjë qeveri nuk ka mundur t’i shtyjë përpara temat e mëdha.
“Asnjë qeveri nuk ka mundur t’i shtyjë përpara temat e mëdha, as qeveria Mustafa, as Thaçi e as tani Haradinaj. Në qoftë se nënkuptojmë tema të mëdha, një anëtarësim të Kosovës në OKB, në Interpol, liberalizimin e vizave asnjë nuk e kanë realizu, asnjë që ka të bëjë më sovranitetin e Kosovës nuk është realizuar pas çlirimit të Kosovës e këndej”.
Tahiri tha se qeveria aktuale nuk ka asnjë dallim nga qeveria e kaluar, përveç asaj që Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë në opozitë, dhe AAK në pozitë.
Theksojmë se qeveria Mustafa ishte rrëzuar pas një mocioni të mosbesimit i cili ishte ngritur nga partitë opozitare, e që ishte mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, e që në atë kohë qeveriste së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Për rrëzimin e Isa Mustafës, në atë kohë kishin votuar 78 deputetë. /Telegrafi/