Telegrafi

Dy vite burgim me kusht dhe dy mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për mashtrim në prokurim publik

Jeton Podvorica është dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 2 mijë euro gjobë për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrimi në prokurim publik”

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Podvorica u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuqi.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi me burgim, të akuzuarit Podvorica nuk do t’i ekzekutohet, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej 1 viti.

Gjithashtu i akuzuari Podvorica obligohet edhe me shpenzimet e procedurës penale dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 për fondin për kompensim të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Kuqi, pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Podvorica i e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 maj 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 prill 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Jeton Podvorica, akuzohej se në cilësinë e personit të autorizuar në kompaninë “EING COM”, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik në aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i Objektit të ri administrativ dhe renovimi i hapësirave përcjellëse”, të iniciuar me datë 16.112020 nga NP “Termokos”.

Siç thuhet në aktakuzë i akuzuari me datë 12 mars 2021, ankesës së ushtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër vendimit të Autoritetit Kontraktues për eliminimin e kompanisë së tyre nga tenderi me titullin e lartcekur, i ka bashkangjitur dokument të falsifikuar me përmbajtjen të rreme “Marrëveshjen e bashkëpunimit” për trajnim të lidhur në mes të Qendrës për Aftësim Profesional (QAP) dhe kompanisë N.N.T “EING COM” të datës 21/2/2017 dhe dy raporte të vlerësimit nga (QPA) të datës 14/12/2017, në emër të kandidatëve Muhamet Lahi dhe Idriz Podvorica me qëllim të mashtrimit në procedurën e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues.

Me këtë, Jeton Podvorica akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 par 1 të Kodit Penal Të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në pesë vjet.