Stuhitë e forta të erës dhe shiut që goditën Francën kanë shkaktuar pasoja thuajse apokaliptike edhe në pjesë të ndryshme të kontinentit europian.
Dëmet më të mëdha i kanë pësuar fermerët e Francës lindore, ndërsa moti ekstrem ka rezultuar edhe në dy viktima.
Qeveria franceze do të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në disa rajone juglindore të vendit.
Në fundjavë, stuhitë e forta të shiut në pak minuta shkaktuan dëme katastrofike për fermerët e rajonit bujqësor të njohur si “pemishta e Francës”.
Në qytezat përreth, kokrrat e breshrit me madhësinë e një topi tenisi thyen xhama makinash, nxorën lumenj nga shtrati dhe hodhën pemët poshtë, duke sjellë për pasojë edhe vdekjen e një turisti gjerman që po udhëtonte me makinë.
Fermerët vendas thonë se rrebeshi edhe pse i shkurtër u ka shkatërruar thuajse tërësisht të mbjellat, frutat dhe vreshtat, duke i falimentuar në nisje të sezonit të verës.
Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do bëjë të mundur kompensimin e tyre, përcjell oranews.tv.
Situatë të rëndë me motin kanë paraqitur edhe pjesë të tjera të kontinentit.
Në Zvicrën perëndimore, stuhitë e forta dëmtuan mbi 400 anije dhe fundosën një prej tyre, duke i marrë jetën një gruaje që kishte dalë për ekskursion me partnerin në liqenin e Gjenevës.
Edhe autoritetet britanike dhe ato polake e kanë cilësuar të paprecedentë situatën në vend, me përmbytje në zonat lindore të vendit dhe me mijëra familje ende pa energji.
Ekspertët e motit paralajmërojnë se dukuri të ngjashme ekstreme do të jenë më të zakonta ndërsa bota pëson ndryshime klimatike.