Site icon Telegrafi

Dy vëllezërit dënohen me burg dhe gjobë për tentim vrasjen dhe sulmin ndaj fqinjit të tyre

Foto: Kallxo.com

Eroll Murati dhe Gëzim Murati janë shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen në tentativë që kishte ndodhur në 2018-ën në Prishtinë ndaj fqinjit të tyre.

I akuzuari Eroll Murati është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale vrasje në tentativë dhe 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, i akuzuari Gëzim Murati për veprën penale sulmi është dënuar me 500 euro gjobë.

Të akuzuarit Eroll Murati do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Dënimin e shqiptuar më gjobë të akuzuarit obligohen që ta paguajnë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, secili veç e veç u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë shumën prej 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro tjera për kompensimin e viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 10 tetor 2018, i pandehuri Eroll Murati akuzohet se me dashje ka tentuar që të privojë personin tjetër nga jeta, ashtu që më 21 shkurt 2018, në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, në Prishtinë, derisa i dëmtuari Demir Huruglica ishte duke i përcjellë Sulltan Pajazitin dhe Hasim Krasniqin, të cilët i kishte dërguar familja e të pandehurve për të ndërmjetësuar lidhur me mosmarrëveshjet e tyre me të dëmtuarin Demir, për shkak të parkimit të veturave në rrugicën e përbashkët, i pandehuri Gëzim Murati është afruar tek ndërmjetësuesi për t’i pyetur se çfarë përgjigje i ka dhënë i dëmtuari atyre, shkruan Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari i kishte dëgjuar duke iu thënë “Dema nuk po pranon”, ndërsa i pandehuri Gëzim me ton të lartë i ka bërtitur “Demo, paja këtu”, ndërsa i dëmtuari ia ka kthyer “Nuk kam çka me ardhë”, dhe i pandehuri Gëzim në prani të dy dëshmitarëve ka thënë “Hajde këtu o majmun”.

Ndërkohë, thuhet se i dëmtuari për të mos tensionuar më shumë situatën iu afrohet që të treve dhe u thotë “nuk kemi çka me bisedu në rrugë, thirrni dy shokët të cilëve iu patët premtuar se nuk do t’i lini më kerret në rrugë asnjëherë dhe më keni tradhtuar”, po ashtu thotë “merrni ata dy shokët dhe dy hoxhallarët prezent dhe do të hyjmë brenda të bisedojmë, se unë nuk bisedoj në rrugë”.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehur Gëzim i ka thënë “cilët shokë, çfarë të tradhtuni, o idiot”, e që i dëmtuari nuk ia kthen asnjë fjalë, por është përshëndetur me dy dëshmitarët ndërmjetësues dhe ka bërë 2-3 hapa në drejtim të dyerve të shtëpisë, ku sipas aktakuzës në ato momente ka dalë i pandehuri Eroll nga dyert e oborrit të tij dhe është nisur në drejtim të të dëmtuarit me armën që e kishte në dorë, duke e sharë “ah nanën…”, e pastaj ka shtënë një herë me armë në drejtim të të dëmtuarit, në barkun e tij nga distanca 1-1.5 m.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari në vetëmbrojtje, i ka vendosur dy duart përpara barkut por që është qëlluar nga arma në dorën e majtë, me ç’rast i janë këputur pjesa e epërme e dy gishtërinjve prej nyjës nga thoni, në të njëjtën kohë është qëlluar edhe në bark, e që sipas aktit akuzues i pandehur Eroll ka shkuar një hap mbrapa dhe ka tentuar që të mbushë për së dyti këtë armë.

Mirëpo, thuhet se në ato momente dëshmitari Sulltan Pajaziti i ka bërtitur “hej, mo bre”, e pastaj për të shpëtuar jetën e të dëmtuarit, Sulltan Pajaziti është hedhur nga mbrapa dhe ka mbuluar të dëmtuarin me trupin e tij, për ta shpëtuar nga gjuajtja e dytë e të pandehurit Eroll, ku i dëmtuari Demir ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, i pandehuri Eroll Murati akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 178 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.

Po ashtu, i pandehuri Eroll Murati, akuzohet se ka mbajtur në pronësi armën në kundërshtim me Ligjin e armëve të Republikës së Kosovës, të cilën e ka përdorur në kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin paraprak të kësaj aktakuze e që në ditën kritike policia i ka gjetur dhe sekuestruar tipin pushkë gjuetie e punuar me dorë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par.1 i KPK-së.

Ndërsa, me dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, i pandehuri Gëzim Murati, akuzohej se në vendin dhe kohën si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, përderisa i dëmtuari ishte duke i përcjellë dy ndërmjetësuesit, dhe pas bisedës së shkëmbyer e që më pas i dëmtuari Demir pas plagëve të marra nga arma e zjarrit me të cilën ka shtënë i pandehuri Eroll Murati, kishte rrëshqitur dhe rrëzuar, sipas aktit akuzues në ato momente Gëzim Murati e ka sulmuar të dëmtuarin Demir Huruglica, duke iu vërsulur përmbi dhe e ka kërcënuar me fjalët “kemi me të mbytë krejt”.

Me këtë, Gëzim Murati akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 187, par.1 të Kodit Penal.

Exit mobile version