Gati të gjithë anëtarët e kësaj familjeje kanë vizituar palestrat e basketbollit nëpër New York City.
Dy vëllezërit Gjonbalaj – Egzoni dhe Pajtimi, luajnë për ekipin e basketbollit të kolegjit të Brooklynit. Vëllai i tretë, Edoni, deri në fund të muajit të shkuar ka luajtur për ekipin Bulldogs, por tashmë ka diplomuar, përcjell sot Koha Ditore shkrimin e NYT.
Por, prania e familjes Gjonbalaj është gjithmonë e madhe në tribuna. Babai i tre vëllezërve Gjonbalaj, Bajrami, është njëri prej tifozëve më besnikë të ekipit Bulldogs, pasi flet për dore me të gjithë lojtarët dhe i fyen arbitrat në gjuhën shqipe.
Djali i katërt, Idrizi, punon si oficer në Departamentin e policisë së New Yorkut dhe është i pranishëm në të gjitha ndeshjet e basketbollit. Edhe anëtarja më e vogël e familjes Gjonbalaj, motra 15-vjeçare, Adriana, shkon për të përkrahur nga afër vëllezërit.
Më saktësisht, në ndeshjet si vendas të Bulldogsave shkojnë t’i përcjellin deri në 40 kushërinj të Gjonbalajve. Një pjesë e konsiderueshme e tyre udhëton edhe në ndeshjet si mysafir. Në mesin e tifozëve besnikë është edhe kushëriri, Valon Gjonbaliqi, i cili në dy edicionet e fundit ka qenë pjesë e ekipit Bulldogs. "Ne sjellim energji në palestër", tha Idrizi pas fitores së Bulldogsve 100:99 ndaj Lehman College. "Ne jemi shumë të gëzuar me fitoren e ekipit tonë".