Telegrafi

Dy ushtarë të forcave speciale ruse SOBR vdesin pas rrëzimit nga helikopteri gjatë një ushtrimi

Një moment i tmerrshëm është kapur nga kamerat e portit të Murmanskit, një qytet të Rusisë veriperëndimore, ku raportohet se po mbahet një stërvitje ushtarake.

Pamjet tregojnë momentet se si dy ushtarë të forcave speciale ruse SOBR, rrëzohen nga helikopteri në një lartësi rreth 20 metra duke gjetur vdekjen në det.

Siç raportojnë mediet e huaja, mjekët nuk ishin në gjendje të shpëtonin Vitali Likhanov, 41-vjeç dhe Sergey Fundament, 47-vjeç, të cilët shërbenin në këto forca.

Ata u rrëzuan nga një helikopter Mi-8 që fluturonte në kuvertën e anijes.

Hetuesit ushtarakë tani po kontrollojnë nëse moti i ligë apo litarët ishin shkaktarë të vdekjes së tyre.

Njësia Speciale e Reagimit të Shpejtë e njohur si SOBR është formuar në vitin 1992 e drejtuar nga Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar në kuadër të Ministrisë ruse të Punëve të Brendshme. /Telegrafi/