Site icon Telegrafi

Dy turistë amerikanë të dehur kaluan natën në kullën Eifel, alpinistë dhe zjarrfikësit arritën t’i shpëtojnë

Në Paris, dy turistë amerikanë të dehur arritën të kalonin natën fshehurazi në Kullën Eifel, raporton sot AFP, duke cituar burime në policinë dhe drejtësinë franceze.

Kompania “Sete”, e cila menaxhon monumentin e famshëm parizian, njoftoi se rojet gjetën dy turistë pas një nate të kaluar nën një qiell të pastër, transmeton Telegrafi.

Ato ndodheshin mes katit të dytë dhe të tretë të kullës, në pjesën ku nuk lejohet hyrja e vizitorëve.

“Nuk paraqesin kërcënim të dukshëm”, thanë nga kompania “Sete”.

Policia tha se turistët amerikanë kanë paguar një biletë për një xhiro në Kullën Eifel të dielën rreth orës 22:40, dhe kur janë kthyer nga maja kanë kapërcyer gardhin dhe kanë kaluar në një zonë ku nuk lejohet të qëndrojnë vizitorët.

Anëtarët e njësisë speciale të alpinizmit të shërbimit zjarrfikës ndihmuan në shpëtimin e dy turistëve.

“Do të kishin ngecur sepse ishin nën efektin e alkoolit”, u tha nga prokuroria e Parisit.

Kompania “Sete” ka paralajmëruar padi, ndërsa prokuroria ka vendosur që të mos i ngarkojë për hyrje të paautorizuar në objekt me rëndësi historike dhe kulturore, pasi nuk është shkaktuar dëm. /Telegrafi/

 

Exit mobile version