Telegrafi

Dy trajnerët nga Shqipëria konfirmojnë interesimin e Ballkanit – me njërin bisedimet e avancuara

Ballkani ka shkarkuar Ismet Munishin pas mbylljes së stinorit vjeshtor, ku skuadra qëndron në pozitë të dytë, ndërsa është kualifikuar edhe në rrethin e tretë të Kupës së Kosovës.

Klubi ka filluar të kërkojnë trajnerin e ri, ndërsa emrat më të përfolur në ditët e fundit kanë qenë Bledi Shkëmbi, Bekim Isufi dhe Orges Shehu.

Të dy trajnerët nga Shqipëria, si Shehu ashtu edhe Shkëmbi, kanë pranuar kontaktet me krerët e klubit nga Suhareka.

Madje ish portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Orges Shehu, ka mbajtur edhe takim me kryetarin e klubit, Arsim Kabashin.

“Po, jam takuar dje, kemi biseduar për rreth tre orë ku kemi lënë edhe një takim. Mënyra se si e perceptonim futbollin, kishim ide të njëjta”.

“Ne gjithashtu perceptonim raportet e trajnerit me presidentin dhe ide se si mund ta zhvillojmë klubin. Presidenti më duket njeri pozitiv dhe me ide bashkëkohore dhe që do ta ngrejë Ballkanin në nivelet më të larta”, ka thënë Orges Shehi për Indexonline.

Edhe Bledi Shkëmbi e ka pranuar që ka marr një telefonat nga klubi i Ballkanit.

“Më kanë kontaktuar para disa ditësh, por nuk ka diçka më shumë për të shtuar. Nuk kam caktuar asnjë takim me presidentin Arsim Kabashi”, deklaroi Shkëmbi për Zëri.info.

Me gjasë Ballkani në ditët në vijim do të vendos për njërin mes këtyre dy trajnerëve. /Telegrafi/