Site icon Telegrafi

Dy të vrarë dhe 11 të plagosur në Strasburg (Foto/Video)

Dy persona janë vrarë dhe 11 tjerë janë në gjendje kritike, pas të shtënave që kanë ndodhur në afërsi të një tregu të Krishtlindjeve në Strasburg të Francës, kanë njoftuar autoritet lokale.

Forcat e rendit kanë krijuar kordonë përreth zonës ku ka ndodhur sulmi. Ndërsa e gjitha ndodhi në afërsi të një tregu të Krishtlindjeve në sheshin e qendrës së Strasburgut, transmeton Telegrafi.

Policia ka bërë të ditur se kanë zbuluar identitetin e sulmuesit që është arratisur nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas tij janë vënë forca të shumta të policisë.

Nuk dihet nëse cak i sulmit ishte tregu i Krishtlindjeve dhe nëse sulmi ka lidhje me terrorizmin. Sidoqoftë, policia ka njoftuar se janë duke hetuar rastin për të konstatuar nëse ka pasur motive terroriste.

Lexo po ashtu Paniku në Strasburg, europarlamentarët “ngujohen” brenda PE-së

Ministri i Punëve të Brendshme i Francës, i ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre për shkaqe sigurie.

Autoritetet lokale në Grand-Est dhe Bas-Rhin, gjithashtu kanë këshilluar qytetarët që të “shmangin zonën përreth stacionit policisë”, që është shumë afër këtij tregu të Krishtlindjeve.

Ndërkaq deputetët e Parlamenti Evropian në Strasburg janë ngujuar brenda ndërtesës pas raportimeve për të shtëna, ku shumë gazetarë që në ato momente ishin brenda ndërtesës u është ndalur të dalin jashtë.

Lexo po ashtu Të shtëna armësh në Strasburg, një i vdekur dhe tre të plagosur (Foto/Video)

Ndërtesa e Parlamentit Evropian është rreth dy milje larg qendrës së Strasburgut, kurse raportohet se presidenti francez Emmanuel Macron ka ndërprerë një takim pasi është informuar për situatën në Strasburg.

Ai ka njoftuar se ministri i Punëve të Brendshme, Christophe Castaner është nisur për në Strasburg për t’u informuar nga afër me situatën. Pas sulmit ka reaguar edhe kryetari i këtij qyteti, Alain Fontanel i cili ka shkruar në Twitter se falënderon të gjithë qytetarët që janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre derisa të qartësohet gjithçka. /Telegrafi/

Exit mobile version