Dy njerëz gjetën vdekjen në një aksident masiv makinash afër Montrealit, aksident ky që çoi deri në mbylljen e autostradës të mërkurën, sipas policisë së Quebec.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, më shumë se 200 vetura u përfshinë në aksidentin në autostradën A15 dhe rreth 100 njerëz u dërguan në tre spitale vendorë, sipas shërbimit të ambulancës CETAM.
Siç bëhet e ditur më tej, të paktën nëntë njerëz u plagosën rëndë dhe 13 kishin lëndime të lehta.
Të dy viktimat janë në proces identifikimi dhe ata u gjetën të bllokuar në automjetin e tyre, tha agjencia e sigurisë publike në Quebec.
Reshjet e borës me erë thuhet se “papritmas” krijoi një mungesë totale të shikueshmërisë për shoferët, tha Ministri i Transportit në Quebec, François Bonnardel.
Bonnardel tha se rreth 50 automjete u “shkatërruan plotësisht” gjatë aksidentit.
Si pasojë, d deshën disa orë që ekuipazhet të pastrojnë autostradën, tha Bonnardel. Ekipet gjithashtu trajtuan një derdhje karburanti në vend. /Telegrafi/