Site icon Telegrafi

Dy të vdekur pas përplasjes së aeroplanit në një fabrikë në Kaliforni

Dy persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë lënduar kur një aeroplan i vogël u përplas mbi çatinë e një fabrike mobiliesh në Kaliforninë Jugore, ku po punonin të paktën 200 persona.

Aeroplani u rrëzua më pak se dy minuta pasi u ngrit nga Aeroporti Municipal i Fullertonit në Orange County.

Një zëdhënës i policisë së Fullertonit tha se ende nuk dihet nëse viktimat ishin në aeroplan apo në tokë, raporton skynews.

Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë treguan se aeroplani po anonte në një anë kur u përplas me ndërtesën, duke shkaktuar një shpërthim dhe krijuar një re të zezë tymi. Nga të plagosurit, dhjetë u dërguan në spital, ndërsa tetë të tjerë u trajtuan dhe u lanë të lirë në vendngjarje.

Administrata Federale e Aviacionit raportoi se aeroplani kishte një motor të vetëm Van’s RV-10 dhe ishte mjet fluturimi me katër vende.

Ndryshe, një tjetër aeroplani me katër vende u përplas me një pemë 1 km larg aeroportit në muajin nëntor të vitit të kaluar, gjatë një uljeje emergjente menjëherë pas ngritjes. Të dy personat në bordin e aeroplanit pësuan vetëm lëndime të lehta. /Telegrafi/

Exit mobile version