Telegrafi

Dy të vdekur nga një stuhi e fuqishme në Greqi, zhduket një foshnjë

Të paktën dy persona kanë humbur jetën nga stuhia e fortë që goditi ishullin grek Euboea (Evia).

Mediat lokale raportojnë se stuhia e rëndë filloi në orët e para të mëngjesit, ndërsa lumi Massapitu përmbyti shumë shtëpi dhe biznese në rajonet Psahna, Politika dhe Lefkandi si pasojë e reshjeve të fuqishme.

Ekipet e shpëtimit që janë dërguar në zonë kanë gjetur kufomat e një burri 86-vjeçar dhe një gruaje 85-vjeçare, ndërsa një foshnjë tetëmuajshe rezultoi e zhdukur.

Në jug të ishullit, një numër i madh njerëzish janë bllokuar nëpër shtëpi, ndërsa rrugët janë mbyllur.

Stuhia po ashtu ka shkaktuar dëme materiale në shtëpi, makina dhe objekte të biznesit.

Mbrojtja Civile e Greqisë deklaroi se kushtet e këqija të motit do të vazhdojnë në rajon dhe paralajmëroi qytetarët që të marrin masa mbrojtëse. /AA/