Një përplasje fatale midis një fisi indigjen “më të pakontaktuar” dhe prerësve të drurëve ka çuar në dy vdekje dhe dy zhdukje në pyjet tropikale të Amazonës në Peru.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, populli Mashco Piro, që mendohet të jetë fisi më i madh i izoluar në botë, ka shmangur prej kohësh kontaktin me botën e jashtme.
Por një përplasje thuhet se ka ndodhur të enjten në një zonë të Madre de Dios ndërsa punëtorët po hapnin një shteg në pyll.
Ata u sulmuan për vdekje nga anëtarët e fisit duke gjuajtur shigjeta – duke lënë dy të vdekur.
Përveç këtyre, dy persona të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Autoritetet qeveritare kanë raportuar ngjarjen të hënën mbrëma dhe kanë thënë se po hetojnë së bashku me prokurorinë dhe policët.
Mashco Piro, të cilët banojnë në një zonë të vendosur midis dy rezervave natyrore në Madre de Dios, shfaqen rrallë dhe për këtë arsye nuk kanë pothuajse asnjë komunikim me botën e jashtme.
Por anëtarët e Mashco Piro janë parë jashtë territorit të tyre në muajt e fundit dhe janë nën presion të madh nga industria e prerjeve, raporton OJQ Survival International.
Qeveria peruane raportoi më 28 qershor se banorët vendas kishin raportuar se kishin parë Mashco Piro në lumin Las Piedras, rreth 150 kilometra nga qyteti i Puerto Maldonado, kryeqyteti i Madre de Dios.
Mashco Piro janë parë edhe përtej kufirit në Brazil, të cilët thuhet se “ikin nga prerësit në anën peruane”. /Telegrafi/