Telegrafi

Dy të vdekur dhe disa të lënduar pasi një kamionçinë “përplaset me këmbësorët” në Quebec të Kanadasë

Dy persona kanë gjetur vdekjen dhe nëntë të tjerë janë lënduar pasi një kamionçinë është përplasur me këmbësorët në qytetin Amqui, në veri të Quebec të Kanadasë.

Drejtuesi i mjetit, një vendas 38-vjeçar është arrestuar pasi është dorëzuar në polici, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Hetuesit janë ende duke u përpjekur për të përcaktuar nëse incidenti ishte një sulm i qëllimshëm.

Policia u thirr për incidentin e fundit rreth orës 15:00 pas raportimeve për një përplasje mes një makine dhe këmbësorëve.

Dy personat e vdekur mësohet se janë një burrë rreth të 70-tave dhe një tjetër 60-vjeçar.

Mediat kanadeze raportuan se mes të plagosurve janë edhe fëmijë që po trajtohen në spitalin lokal.

Ndërsa zëdhënësja e policisë së Quebec, Helene St Pierre tha se të gjitha indikacionet ishin se kjo ishte një ngjarje e izoluar.

“Nuk ka më rrezik në zonë dhe vetëm një i dyshuar”, u ka thënë ajo gazetarëve. /Telegrafi/