Telegrafi

Dy të arrestuar për tentimvrasjen te gjimnazi “Sami Frashëri”

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e rëndë në tentativë në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.

Policia njofton se të martën rreth orës 17:00, ka marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri, ndërsa menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Lexo po ashtu Policia: Dy të plagosur nga të shtënat me armë te Gjimnazi "Sami Frashëri" (Foto)

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast vrasje e rëndë në tentativë, ku nga arma e zjarrit kanë pësuar lëndime dy persona: Z. J, 30 vjeç dhe N.U, 44 vjeç, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

“Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, rreth orës 23:00 policia ka arritur të identifikoj dhe të arrestoj  dy persona të dyshuar N.S, 42 vjeç  dhe F.A. 32 vjeç.

Personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit të shtetit  janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërkohë që bazuar në hetimin fillestar dyshohet se në këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër si i dyshuar, i cili është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë. /Telegrafi/