Site icon Telegrafi

Dy të aksidentuarit në Kurshumli të Serbisë po hospitalizohen në Nish, të tjerët janë liruar

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është njoftuar nga Zyra Ndërlidhëse Diplomatike e Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë – Beograd se sot ka pasur një aksident trafiku të një autobusi të linjës Prizren-Kranj në afërsi të qytetit Kurshumli, Republika e Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet kanaleve të saj zyrtare ka përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë aksident, përfshirë lëndimet e udhëtarëve.

Lexo po ashtu Autobusi del nga rruga në Prokuplje të Serbisë, mediat serbe raportojnë për nëntë kosovarë të lënduar (Video)

Ministria e Punëve të Jashtme, sipas informacioneve të fundit konfirmon se vetëm dy shtetas të Republikës së Kosovës ende mbeten të hospitalizuar në Qendrën Klinike Spitalore në Nish, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda të natyrës ortopedike, por me gjendje shëndetësore stabile.

Lexo po ashtu Flet pronari i kompanisë pas rrokullisjes së autobusit me kosovarë në Serbi

“MPJ njofton se të gjithë udhëtarët e tjerë janë liruar nga spitali pas trajtimit të nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ministria e Punëve të Jashtme do të përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë aksident të trafikut dhe do t’ju mbajë të informuar me kohë”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftimin e MPJ-së të lënduarit do të vizitohen nga përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse Diplomatike të Republikës së Kosovës në Beograd.​ /Telegrafi/

Exit mobile version