Sot është afati i fundit që subjektet politike të regjistrojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Deri tani, dy subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 6 tetor.
Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Dy subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin për t’u certifikuar dhe listën e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Bëhet fjalë për Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PRBK) e cila ka dorëzuar listën me 27 kandidatë dhe Jedinstvena Goranska Partia (JGP) ka dorëzuar listën me emrat e 13 kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi.
Ndryshe ditë më parë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë për Telegrafin, se subjektet politike nuk do të kenë mundësi që të certifikohen pas këtij afati.
Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet mbahen më 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë rreth 6 milionë euro. /Telegrafi/