Ekipi olimpik i Kosovës do të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF) “Bakuriani 2025”, që do të mbahet prej 9 deri më 16 shkurt 2025 në Gjeorgji.
Ekipi i Kosovës do të përbëhet nga skitarët e skijimit alpin: Klara Sefaj dhe Andi Pupovci, të cilët do të garojnë në disiplinat e sllallomit dhe sllallomit të madh.
Bashkë me skitarët do të udhëtojnë edhe trajnerët, Ernest Sefaj dhe Naser Dedija, si dhe shefi i misionit, Jeton Rudari.
Ekipit i kanë uruar suksese sot edhe drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe nënpresidenti Milaim Kelmendi, njëherit kryetar i Federatës Skitare të Kosovës.
Për ekipin e Kosovës kjo është hera e katërt që përfaqësohet në EYOF-in dimëror, në të cilin marrin pjesë sportistët më të mirë të Evropës të moshës 14-18 vjeç.
Duke marrë parasysh punën e palodhshme që bëhet me gjeneratat e reja në skijim, na bën të besojmë se suksesi do të jetë i garantuar./Telegrafi/