Telegrafi

Dy shtëpitë e Adem Demaçit, nën mbrojtje ligjore

“Shtëpia e lindjes së Adem Demaçit” dhe “Shtëpia e Adem Demaçit” nga e mërkura janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore – nën mbrojtje të përkohshme. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës është bërë në kuadër të zgjatjes së afatit edhe për një vit, sa i përket mbrojtjes ligjore të monumenteve.

Shtëpitë janë marrë nën mbrojtje dy muaj e gjysmë pas vdekjes së shkrimtarit, disidentit e fituesit të çmimit “Sakharov”. Demaçi u lind më 26 shkurt 1936, ndërsa ka vdekur më 26 korrik të këtij viti.

Për shkak të bindjeve të tija politike, kishte qëndruar në burgjet jugosllave për 28 vjet duke iu nënshtruar tri gjykimeve.

Ky veprim i Ministrisë së Kulturës vjen pasi Qeveria e Kosovës në vitin 2008 i kishte dhënë Demaçit statusin e qytetarit me merita të veçanta.