Telegrafi

Dy shqiptarë dhe një italiane humbën jetën në aksident, çfarë zbuloi autopsia?

Mjekësia ligjore ka dhënë detaje të reja pas autopsisë së tre të rinjve, mes tyre dy shqiptarë, të cilët ndërruan jetë gjatë një aksidenti me makinë mesnatën e 8 dhjetorit.

Makina drejtohej nga Altin Hoti, ndërsa pasagjerë ishin Egli Gjeci dhe vajza italiane Guilia Di Tillio.

Sipas mediave italiane ata nuk i kishin lidhur rripat e sigurimit dhe kishin pirë alkool e drogë, hashash ose marihuanë.

Këtë treguan analizat të cilat iu besuan mjekut Antonello Cirnelli.

Autopsia konstatoi menjëherë se tre të rinjtë vdiqën nga mbytja, por prokuroria e Pordenones kërkoi një raport shtesë për të verifikuar praninë ose jo të substancave alkoolike dhe drogave në gjakun e të treve.

Nga analizat rezultoi se Hoti dhe Gjeci atë natë kishin pirë alkool, hashash apo marihuanë.

Vajza, Giulia Di Tillio, rezultoi negative për alkool dhe pozitive për substanca psikotrope.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të 8 dhjetorit, ku të rinjtë pasi kishin dalë së bashku po ktheheshin në shtëpi. Dhe pikërisht në atë moment ndodhi përplasja fatale.

Makina po udhëtonte me shpejtësi të madhe dhe përfundoi në lumë, ndërsa në asfalt nuk u gjet asnjë shenjë frenimi.