Telegrafi

Dy shpërthime në veri të Mitrovicës

Rasti i parë i shpërthimit është regjistruar rreth orës 19:40min, në rrugën “Sutjeska”, në veri të Mitrovicës, ndërsa dëme materiale janë regjistruar në lokalin (kafeterinë) e një qytetari të përkatësisë etnike boshnjak.

Në bazë të raporteve të para policore të siguruara nga hetuesit policor mësohet se mjeti eksplodues i cili nën rrethana ende të pasqaruara ka shpërthyer para objektit, ka shkaktuar dëme materiale në xhamat e vitrinës së lokalit si dhe në një pjesë të inventarit të brendshëm, ndërsa si pasojë e shpërndarjes së copëzave gjatë shpërthimit, janë dëmtuar edhe xhamat e një lokali tjetër.

Nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Sigurimi i vendit të ngjarjes është mbuluar fillimisht nga njësitë e stacionit veri ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e provave materiale e kanë bërë njësitë përkatëse hetimore të drejtorisë rajonale në Mitrovicë. Besohet se mjeti shpërthyes i aktivizuar në këtë rast, mund të jetë një granat dore”, thuhet në kumtesë.

Shpërthimi i dytë është regjistruar disa minuta para mesnatës, rreth orës 23:45min, në rrugën “Angjellka Neshiqa”, në ballkonin e një moteli privat, pronë e një qytetari të përkatësisë etnike serbe, në veri të Mitrovicës.

Dëme të vogla materiale janë regjistruar në një automjet tip “Toyota”, pronë e ankuesit, e cila ishte e parkuar afër vendit të shpërthimit ndërsa janë regjistruar edhe dëme sipërfaqësore materiale në pjesën e jashtme të lokalit.

Nuk është raportuar për persona të lënduar ndërsa besohej se mjeti eksplodues, mund të jetë një granatë dore, e ngjashme me atë të rastit të parë të shpërthimit.

“Ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve të improvizuara eksploduese të Policisë së Kosovës, dhe të atyre të EOD të KFOR-it, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, në të dyja rastet e shpërthimit të mbrëmshëm, kanë konstatuar se mjeti shpërthyes, mund të jetë një granatë dore, tip ‘M-75’ prodhim jugosllav”, thuhet në kumtesë.

Rastet janë regjistruar si vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa prokurori i shtetit në prokurorinë themelore në Mitrovicë, është informuar lidhur me detajet e rasteve të regjistruara. /Telegrafi/