Telegrafi

Dy shoqata pengojnë konkurrencën e lirë

Që nga themelimi i Komisionit të Konkurrencës në shkurt të këtij viti, deri më tani janë bërë dy hetime, njoftoi kryetari Osman Ejupi. Ai tregoi se për një hetim tashmë është marrë vendim definitiv.

“Një hetim ka përfunduar dhe është marrë një vendim definitiv, ndërsa tani jemi në prag të marrjes së vendimit të dytë, i cili së shpejti do të jetë publik. Të dy rastet kanë të bëjnë me shoqata. E para ka të bëjë me shoqatën e furrtarëve, që e kemi përfunduar vendimin, kurse e dyta ka të bëjë me shoqatën e sigurimeve dhe kompanive të sigurimeve në Kosovë”, ka thënë z. Ejupi.

Ejupi njëherësh tregoi se komisioni po planifikon edhe disa procese hetimi, ndër to është edhe çështja e përqendrimeve të kompanive të ndryshme, ku bëjnë pjesë edhe bankat. Bankat dyshohen për marrëveshje për mbajtjen e kamatave në shkallë të lartë, të cilat nuk po ulen megjithë shtimin e konkurrencës, përkatësisht të numrit të bankave në treg.

Edhe kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës të Shqipërisë Lindita Milo-Lapi tregoi se edhe në Shqipëri kanë marrë masa për disa kompani të cilët kanë shkelur ligjin e konkurrencës.

Ndryshe, Memorandumi i Mirëkuptimit ka për synim ngritjen e efektshmërisë së këtyre dy organizmave më qëllim të njëjtë.