Atletico Madridi ka konfirmuar dy raste pozitive me coronavirus nga testimet e të shtunës. Siç njofton Sky Sports, dy të infektuarit janë duke qëndruar në vetizolim në shtëpi.
Klubi spanjoll të enjten do ta zhvillojë ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër RB Leipzigut në Lisbonë.
“Të gjithë pjesëtarët e ekipit të parë dhe pjesëtarët e klubit që udhëtojnë në Lisbonë iu janë nënshtruar testeve në Ciudad Deportiva de Majadahonda, në bazë të protokollit të UEFA-s për pjesëmarrje në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Nga rezultatet kanë dalë dy raste pozitive, të cilët tash janë të vetizoluar në shtëpitë respektive dhe janë raportuar menjëherë te autoritetet shëndetësore spanjolle dhe portugeze, tek UEFA, Federata Spanjolle e Futbollit, Federata Portugeze dhe Këshilli i Lartë i Sporteve”, thuhet në njoftimin e Atleticos duke shtuar se do të bëhen edhe testime të mëtutjeshme.
Theksojmë se si pasojë e pandemisë së coronavirusit, ka ndryshuar edhe formati i fazave finale të Ligës së Kampionëve, të cilat do të zhvillohen me nga një ndeshje në Lisbonë të Portugalisë. /Telegrafi/