Telegrafi

Dy punëtorë gjetën vdekjen pasi janë bllokuar nën rrënoja në aeroportin JFK në Nju Jork

Dy punëtorë kanë gjetur vdekjen pasi janë bllokuar nën rrënoja në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy të Nju Jorkut, konfirmuan zyrtarët e Autoritetit Portual.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit të Nju Jorkut, EMS dhe Njësia e Shërbimeve të Urgjencës së Autoritetit Portual iu përgjigjën raportimeve për punëtorë të bllokuar në një llogore pas orës 11 të mëngjesit të së hënës.

Sipas Autoritetit Portual dhe JFK, është lëshuar një urdhër ndalimi për ndërtim në aeroport.

Në një deklaratë, Autoriteti Portual tha se punëtorët “po zhvendosnin linjat e shërbimeve në afërsi të impiantit të bashkëgjenerimit për të mbështetur nevojat në rritje të energjisë të projektit të rizhvillimit JFK”.

Emrat e dy punëtorëve nuk janë bërë të ditur, në pritje të njoftimit të familjeve të tyre, kanë thënë zyrtarët. /Telegrafi/