Ministri i Sportit, Andrea Abodi dhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini paralajmërojnë se dënimi prej 15 pikësh për Juventusin nuk mund të jetë vendimi i vetëm për abuzimin e fitimeve kapitale të fryra në futbollin italian, pasi sipas tyre në këtë situatë nuk është e përfshirë vetëm Zonja e Vjetër.
Bianconerëve iu hoqën 15 pikë për rritjen artificiale të tarifave të transferimeve dhe për rrjedhojë ata rritën fitimet e tyre kapitale për të balancuar librat, duke e bërë të duket sikur më shumë asete po lëvizeshin midis klubeve të ndryshme. Juventusi ishte klubi i vetëm i penalizuar, deri më tani.
“Çështja nuk është Juventusi, është i gjithë sistemi i futbollit në tërësinë e tij që duhet të ketë një vështrim të thellë në vetvete”.
“Unë kam qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm, pasi duket se njerëzit besojnë se ministri i Sportit mund të kontrollojë dhe vendos gjithçka, por ka role që duhen respektuar”.
“Ajo që po ndodh është shumë më tepër se një lojë futbolli. Disa gjëra nuk mund të bëhen. Teknikat e përdorura në këto marrëveshje duhet t’i shpjegohen publikut të gjerë në mënyrë që ata të kuptojnë”, ka thënë , ministri i Sportit, Abodi.
Një koment për ngjarjet e fundit e ka dhënë edhe zëvendëskryeministri Salvini, i cili beson që shumë klube të tjera janë të përfshira në këtë mes dhe në këtë metodë.
“Si një tifoz i Milanit, unë nuk jam mbrojtës i Juventusit, por më dukej e çuditshme që një sistem ku shumë, nëse jo të gjitha klubet përdorën metoda të caktuara, vetëm Juve u përball me të vërtetë”.
“Ata vepruan sikur të ishte thjesht një problem i Juventusit dhe kjo dukej e çuditshme. Nëse dikush ka gabuar, atëherë duhet të paguajë, por ju duhen dy klube për të falsifikuar vlerën e një transferimi, nuk mund ta bëjë vetëm një”.
“Pra, nëse vetëm një dënohet, ose sistemi është me sy të kryqëzuar ose Juve po irriton dikë”, deklaroi Salvini.
Juventusi ka bërë një apel në gjykatën e apelit të CONI-t dhe shpreson t’i kthejë pikët e humbura./Telegrafi/