Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar lidhur me ndalimin e dy pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës të enjten mbrëma nga autoritetet e sigurisë të Serbisë pas kalimit të pikës kufitare në Bërnjak.
MPJ përmes një njoftimi për media shprehu indinjatën dhe shqetësimin e thellë për vazhdimin dhe përsëritjen e veprimeve të tilla nga autoritetet e Beogradit.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë informacion se dje pasdite, më datën 17 maj 2018, dy pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb i Republikës së Kosovës janë ndaluar nga autoritetet e sigurisë të Serbisë pas kalimit të pikës kufitare në Bërnjak. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për vazhdimin dhe përsëritjen e veprimeve të tilla nga autoritetet e Beogradit, të cilat duket se qëllim parësor kanë frikësimin, shtimin e presionit dhe përdorimin e mjeteve të shantazhit për pengimin e integrimit të serbëve të Kosovës në jetën institucionale dhe shoqërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
“MPJ proteston për sjelljet e tilla të pahijshme dhe tendencioze ndaj pjesëtarëve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për pjesëtarët e FSK-së dhe të komunitetit serb të Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se sjelljet dhe veprimet e tilla të autoriteteve serbe të Beogradit janë dëshmi se Beogradi zyrtarë flet diçka tjetër, ndërsa në terren vepron në forma të vjetruara të shekullit të kaluar”, thuhet më tej në reagimin për media.
MPJ thërret autoritetet e Beogradit që të rishqyrtojnë veprimet në terren, të heqin dorë nga politika shantazhuese dhe frikësimet ndaj qytetarëve serb të Kosovës, në mënyrë që ata të jetojnë të lirë dhe në paqe në vendin e tyre, me familjet e tyre dhe në bashkëjetesë me qytetarët e komuniteteve tjera në Kosovë. /Telegrafi/