Dy persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur pas të shtënave të dielën në mëngjes në Tampa të Florida-s. Incidenti ndodhi pas një “përleshjeje mes dy grupeve”.
Oficerët ishin të pranishëm kur incidenti ndodhi pak para orës 3 të mëngjesit në lagjen Ybor City të Tampa-s, raporton CNN, përcjell Telegrafi.
Derisa qindra njerëz u larguan nga baret dhe klubet e natës në Ybor City, një natë me plot gjallëri e së shtunës shpejt u kthye në natë vdekjeprurëse.
Ishte një nga disa të shtënat që ndodhën mes festimeve në të gjithë vendin këtë fundjavë përpara Halloween-it.
Pamjet e publikuara nga mediet e huaja tregojnë momentin kur ndodhën të shtënat, derisa njerëzit me kostume filluan të vraponin në panik.
“Njerëzit ishin jashtë në natën e së shtunës. Është ora tre, ka qindra njerëz në rrugë”, tha Lee Bercaw, shefi i policisë në Tampa
Autoritetet besojnë se ishin të përfshirë së paku dy të armatosur.
Nuk është ende e qartë nëse 18 personat e plagosur në incident pësuan plagë me armë zjarri apo lëndime të tjera.
Autoritetet thanë se ata e dinë se ekzistonte një “shqetësim ose problem midis dy grupeve” dhe një burrë i paidentifikuar që ata besojnë se ishte i përfshirë në incident, “është dorëzuar dhe detektivët po e intervistojnë atë tani”. /Telegrafi/