Dy persona kanë mbetur të lënduar në dy aksidente komunikacioni që kanë ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Lajmim e ka konfirmuar Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i cili ka thënë se nga aksidenti i parë, ku janë përfshirë dy automjete, ka mbetur i lënduar një person.
“Nga informatat e para që kemi dy automjete janë përfshirë në këtë aksident dhe një person është lënduar”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, sipas Krasniqit, aksidenti i dytë ka ndodhur kur një punëtor i mirëmbajtjes së rrugës, duke vendosur shenjat në rrugë për aksidentin e parë, është goditur nga një veturë.
“Në aksidentin e dytë është lënduar një person, punëtor i kompanisë së mirëmbajtjes së autostradës, i cili është goditur nga një veturë, duke vendosur konat për të siguruar vendin e ngjarjes të aksidentit të parë”, tha zëdhënësi i Policisë për Kallxo.com.
Aksidentet kanë ndodhur në kilometrin e 37-të të autostradës “Ibrahim Rugova”.