Site icon Telegrafi

Dy nobelistët e turpit

Aung San Suu Kyi (Ang San Su Qi) e mori çmimin Nobel për shkak se persekutohej nga regjimi ushtarak i Burmës. Kur kjo u lirua nga burgu, organizatat e ndryshme për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe shumë udhëheqës të shteteve të botës perëndimore, kërkuan nga ajo që t’i merrte në mbrojtje myslimanët e persekutuar në shtetin e saj. Ajo jo vetëm që refuzoi ta bënte këtë, por kurrë nuk pranoi që ta fliste vetëm një fjalë kundër këtij persekutimi me përmasa gjenocidale që udhëhiqet kryesisht nga priftërinjtë budistë.

Njeriu duhet të jetë më shumë se i paturp nëse të njëjtin persekutim që e ka përjetuar vet, nuk ua pranon të tjerëve.

Orhan Pamuk është një nobelist tjetër që vërtetoi se është po ashtu i paturpshëm edhe pse në botë shitet si një njeri i cili promovon vlerat e humanizmit dhe qytetarisë liberale. Ai këto ditë ka qenë mysafir i veçantë i ‘Akademisë’ Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU). Pamuk shkoi në Beograd për ta nderuar ‘Akademinë’ serbe me rastin e kremtimit të përvjetorit të 175-të të kësaj organizate, e cila në shumicën e rasteve ka luajtur rolin e një organizate fashiste. Madje, Pamuk mbajti ligjërata moralizuese dhe pranoi disa shpërblime nga SANU, organizatë kjo që është jo vetëm përgjegjëse për inicimin dhe përkrahjen e luftërave që zhvilluan serbët në ish-Jugosllavi, por edhe ideatore e spastrimeve etnike që e bënë serbët në këtë vend.

Duhet kujtuar se ‘Akademia’ serbe as sot nuk e ka ndryshuar qëndrimin e cila gjë shihet edhe nëpërmes botimeve të saja të shumta të karakterit shovinist dhe fashist. Kjo akademi vazhdon të mos e pranojë realitetin në Kosovë, të cilën ende e quan ‘Kosovo i Metohija’, dhe për të cilën nuk e ndal botimin e librave të cilat në shumicën e rasteve janë materiale kundër paqes në Ballkan, pasi që propagandojnë në favor të Serbisë së Madhe. Nobelistët, siç është Pamuk, do të duhej t’i shihnin dhe pranonin këto të këqija dhe, si rezultat, të mos nderonin këso organizatash.

Suu Kyi (shqip: S’u Qi), e cila ka shumë dëshirë të shihet me lule në flokë, kurse Pamuk me libër në dorë, me siguri kanë ‘arsye’ për këto veprime të tyre. Por, me këto veprime, që të dy nobelistët nuk duhet të konsiderohen më shumë se dy kurva intelektuale, të të dy gjinive, që ka sot bota.

Exit mobile version