Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 1 mijë euro gjobë motrat, Xh dhe A.M, të akuzuara se në bashkëkryerje vodhën 5 çanta, 18 palë perde dhe dy libra shkollor, në lokalin “Jumbo” në Fushë Kosovë.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Sabit Sadikaj.
Fillimisht, për secilën veç e veç u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj dhe 200 euro gjobë, mirëpo me propozimin e të akuzuarave, dënimi me burgim u zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 300 euro.
Kështu, ndaj tyre u shqiptua dënim me gjobë në vlerë prej 500 euro për secilën veç e veç.
Sipas këtij aktgjykimi, nëse të akuzuarat nuk arrijnë të paguajnë dënimin me gjobë, i njëjti do t’iu shndërrohet në dënim me burgim.
Po ashtu, me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarat Xh dhe A.M u obliguan që secila veç e veç të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Zef Prencdecaj, të akuzuarat M li kanë pranuar fajësinë për veprën penale që iu vihet në barrë.
“E pranoj, i kërkoj falje edhe palës së dëmtuar edhe juve”, tha e akuzuara Xh.M
Kurse, e akuzuara A.M deklaroi se e pranon fajësinë dhe shtoi se nuk do të përsëritet më.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xh dhe A. M akuzoheshin se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në bashkëkryerje më 25 janar 2021 në lokalin “Jumbo” në Fushë Kosovë, kanë vjedhur 4 çanta.
Ndërsa, më 27 janar të vitit 2021 aktakuza thotë se në vendin e lartcekur të pandehurat kanë vjedhur 18 palë perde, një çantë dhe dy libra shkollor, ku të gjitha këto sende janë sekuestruar nga ana e policisë dhe më pas i janë kthyer të dëmtuarit, në këtë rast pronarit të lokalit “Jumbo” me seli në Fushë Kosovë.
Me këto veprime, Xh dhe A.M akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje” nga neni 313, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.