Në ditën e katërt të grevës së tyre, minatorët e Trepçës raportojnë përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së tyre shëndetësore.
Siç ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, katër prej minatorëve kanë mbetur pa vetëdije dhe janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore të premten.
Po ashtu, sipas tij gjendja është alarmante.
“Gjendja është alarmante. Ndihma e shpejtë po vjen dhe po merr punëtorë pasi po u përkeqësohet gjendja. Sot dita e 4-të, deri më tash janë katër punëtorë që janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Jonuzi për portalin Dukagjini.
Minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë urie prej katër ditësh dhe kanë insistuar se nuk do ta ndërpresin grevën deri në plotësimin e kërkesave.
Kërkesat e tyre janë përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit.