Telegrafi

Dy milionë euro investime për të fituar lejen e qëndrimit në Shqipëri

Tash e tuje një biznesmen i huaj mund ta përfitojë lejen e përhershme të qëndrimit në Shqipëri vetëm nëse ka investuar të paktën dy milionë euro dhe ka hapur minimalisht 100 vende të reja pune, raportojnë mediat në Tiranë.

Siç raporton Top Channel në ligjin ekzistues, shuma e kërkuar e investimit është një milion euro, ndërsa numri i vendeve të punës vetëm 10 vetë.

Por, derisa bëhen më të rrepta kriteret për lejen e përhershme të qëndrimit që u jepet biznesmenëve, bëhen më të lehta për kompanitë e huaja që kanë kryer investime në Shqipëri të transferojnë staf nga jashtë, duke shkurtuar kohën dhe procedurat për marrjen e lejeve.

Paralelisht, projektligji i ri për të huajt krijon për herë të parë mundësinë që profesionistët e huaj të pavarur të ofrojnë shërbime në Shqipëri. Këta janë personat fizikë, të regjistruar si të vetëpunësuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, por që kanë një kontratë për ofrimin e shërbimeve me një përfitues në Shqipëri.